Për herë të parë që nga marrja e pushtetit në komunat veriore, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë pranuar përdorimin e emërtimit kushtetues “Republika e Kosovës” në ftesat për seancat konstituive të Kuvendeve Komunale me të cilat udhëheqin. Ky përdorim i emrit zyrtar ndodh pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte ndaluar mbajtjen e saj pa vulën dhe kredencialet zyrtare e Republikës së Kosovës.

Sipas ftesës së dërguar nga kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, seanca e parë konstituive do të mbahet më 5 dhjetor 2025, duke filluar në orën 11:00 në sallën e Kuvendit Komunal.

“Të nderuar anëtarë të Kuvendit Komunal, ju ftojmë të merrni pjesë në seancën e parë konstituive të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Gjithashtu, ju informojmë se me këtë rast do të bëni betimin dhe do të nënshkruani deklaratën solemne për marrjen e detyrës si anëtar i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Solemniteti fillon në orën 11:00, në sallën e Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në ftesën e dërguar në dy gjuhët dhe të cilin dokument e ka siguruar RTKlive.

Ky zhvillim mund të konsiderohet si në ndryshim i rëndësishëm në praktikën e mëparshme të Listës Serbe, e cila deri më tash nuk ka pranuar që t’i referohet Kosovës me emrin e saj kushtetues në komunat veriore.