Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëpritur vendimin e sotëm të Qeverisë në detyrë të Kosovës për të ndarë buxhetin për transmetuesin publik, RTK, nga kategoria e kursimeve.
AGK thotë se ky vendim është një lehtësim i vonuar për 700 punonjësit e RTK-së dhe familjet e tyre.
“AGK shpreh keqardhje që situata e pritjeve të gjata për paga është përsëritur dy herë brenda vitit. Edhe vendimi i sotëm është i përkohshëm”, thuhet në komunikatën e AGK-së.
AGK-ja bën thirrje që financimi stabil i RTK-së të jetë prioritet në legjislaturën e re, ashtu sikurse edhe zgjidhja e problemit me pronën përmes një ligji të ri.
AGK gjithashtu bën thirrje që të respektohet pavarësia editoriale e Transmetuesit Publik.
Qeveria në detyrë e Kosovës gjatë mbledhjes së sotme ka ndarë buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës në vlerë 4 milionë e 480 mijë euro.




