Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, duke dërguar një mesazh të fortë për identitetin kombëtar dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Në urimin e saj, Sinani thekson se kjo ditë është më shumë se festë; është nderim për flamurin, pavarësinë dhe substancën kombëtare që formëson identitetin e shqiptarëve. Ajo nënvizon se, pavarësisht diskriminimit nga ana e Serbisë dhe mohimit të përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar për shqiptarët e Luginës, komuniteti mbetet i vendosur dhe i pathyeshëm.
Sipas Sinanit, kërkesat e shqiptarëve të Luginës nuk janë politike, por të drejta universale: barazia, demokracia dhe liria. Ajo thekson se këto të drejta u takojnë të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë.
“Edhe përballë diskriminimit të Serbisë dhe mohimit të përdorimit zyrtar të flamurit për shqiptarët e Luginës, ne mbetemi të palëkundur: me rezistencë, me dinjitet dhe me besim të plotë në barazi, demokraci dhe liri”, ka thënë Sinani, duke rikujtuar vendosmërinë e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Në fund të urimit, ajo ka dërguar një mesazh bashkimi për të gjithë shqiptarët në trojet etnike dhe diasporë:
“Nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, deri te çdo zemër që mban kuq e zinë — Gëzuar Festën e Flamurit dhe të Pavarësisë!”




