Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Drilon Haraçia, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, e ka gjetur të pandehurin fajtor dhe i ka shqiptuar dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 20 dhjetor 2024, rreth orës 09:30, në rrugën “Diaspora” në Brekoc të Gjakovës. Pas një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme pronësore, P.B. dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B.

Gjatë një fjalosjeje pranë rrethojës së oborrit, ai ka nxjerrë pistoletën dhe ka shtënë drejt të dëmtuarit nga një distancë prej rreth tre metrash, ndërsa ky i fundit po largohej me vrap.  Plumbi e ka goditur në pjesën e poshtme të shpinës, duke i shkaktuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetën, të cilat kanë kërkuar operim urgjent.

Palët kanë të drejtë ankese kundër aktgjykimit brenda 30 ditëve nga pranimi i tij në formë të shkruar.