NATO mund të shqyrtojë nisjen e një “ sulmi parandalues ” kundër Rusisë , tha të dielën për Financial Times Admirali Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i komitetit ushtarak të aleancës. “Një sulm parandalues” mund të konsiderohet një “veprim mbrojtës”, tha ai , në përgjigje të sulmeve kibernetike, sabotimit dhe shkeljeve të hapësirës ajrore.
Ky skenar është larg “mënyrës tradicionale të të menduarit” të NATO-s. Ka edhe çështje ligjore që lidhen me mundësinë e marrjes së masave të tilla, pranoi z. Dragone.
Në përgjithësi, NATO po shqyrton miratimin e një qëndrimi “më agresiv” në përballjen me luftën hibride të Rusisë, pas një rritjeje të kohëve të fundit të sulmeve kibernetike, sabotimit dhe shkeljeve të hapësirës ajrore, tha oficeri më i lartë ushtarak i Aleancës.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Rusia është akuzuar për orkestrimin e operacioneve hibride në të gjithë Evropën, në atë që zyrtarët perëndimorë e përshkruajnë si një përpjekje për të frikësuar aleatët e Ukrainës dhe për të dobësuar mbështetjen për Kievin.
Admirali Dragone tha se Aleanca po rivlerëson mënyrën se si të merret me kërcënimet hibride që janë intensifikuar në të gjithë Evropën: “Ne po studiojmë gjithçka. Në hapësirën kibernetike ne jemi disi pasivë, duke reaguar ndaj sulmeve nga të tjerët. Të qenit më agresivë ose të qenit proaktivë në vend që thjesht të reagojmë është diçka që po e studiojmë”, tha ai.
Z. Dragone tha se Aleanca po shqyrton nëse elementët e konfliktit hibrid – veçanërisht sulmet kibernetike, ku shumë anëtarë të NATO-s kanë aftësi sulmuese – duhet të adresohen me një qasje më proaktive.
Admirali italian tha se një “sulm parandalues” mund të konsiderohet si një “veprim mbrojtës”, por shtoi se “është më larg mënyrës sonë normale të të menduarit dhe të sjelljes”. Ai vazhdoi: “Të qenit më agresiv krahasuar me agresionin e homologut tonë mund të jetë një mundësi. [Çështjet janë] kuadri ligjor, kuadri juridiksional, kush do ta bëjë këtë?”
Ai madje vuri në dukje me kuptim se NATO kohët e fundit arriti sukses me misionin Baltik Sentry, në të cilin shtetet anëtare vendosin anije patrullimi, avionë mbikëqyrës dhe dronë detarë për të parandaluar sabotimin në Detin Baltik, një nga zonat detare më të ndjeshme në Evropë dhe një pikë qendrore e nxehtë në përballjen e Perëndimit me Rusinë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga kjo e fundit.




