Asociacioni i Komunave të Kosovës, së bashku me komunat pjesëmarrëse, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës “Promovimi i Demokracisë Deliberative dhe Qasjeve Inovative për Pjesëmarrjen e Qytetarëve në Evropën Juglindore”, e cila u mbajt në Strasburg.
Sipas njoftimit, ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Konferencës Evropiane për Demokracinë Deliberative ‘Evropë Reziliente përmes Demokracisë Deliberative: Qytetet dhe Rajonet në Veprim’, duke ofruar mundësi të rëndësishme për shkëmbim praktikash, dialog dhe përforcim të qasjes participative në nivel lokal.
“Përfaqësuesit e komunave të Kosovës patën rastin të prezantojnë përvojat e tyre, të diskutojnë sfidat dhe të ndajnë qasje inovative për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje”, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.
AKK-ja ka falënderuar Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale dhe Këshillin e Evropës për organizimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.




