Partitë politike kanë përmbyllur afatin e paraqitjes së tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke zyrtarizuar format e garimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Lëvizja Vetëvendosje do të marrë pjesë në këto zgjedhje përmes një koalicioni parazgjedhor, i quajtur “Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje”. Përveç Vetëvendosjes, pjesë e tij janë edhe partnerët e deritanishëm, Guxo dhe Alternativa si dhe Partia Shqiptare Demokristiane, PSHDK.

Ndryshe nga Vetëvendosje, partitë e tjera parlamentare kanë vendosur të hyjnë të vetme në garë. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojnë secila me listën e vet të kandidatëve. Edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e një koalicioni me AAK-në, këtë herë ka vendosur të konkurrojë e pavarur.

Profesori, Dorajet Imeri thotë se krijimi i koalicioneve parazgjedhore bëhet me qëllim të rritjes së votave derisa shprehet skeptik në arritjen e një rezultati të tillë.

“Natyrisht qëllimi është që të maksimizohet vota duke qenë se secila votë, përkatësisht secili mandat politik i deputetëve do të jetë përcaktues për formimin e qeverisë së ardhshme dhe institucioneve të tjera duke e ditur se në lojë do të jetë edhe çështja e presidentit të vendit. Koalicionet parazgjedhore janë të natyrshme dhe të domosdoshme për periudhën në të cilën flasim por nuk e di se sa do të rezultojnë të suksesshme”, tha  Dorajet Imeri, profesor universitar.

Në KQZ janë paraqitur edhe koalicione të partive jo shumicë e po ashtu disa nga to në zgjedhjet e jashtëzakonshme do të garojnë të vetme.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë periudhës 24 deri më 30 nëntor kanë aplikuar gjithsej 23 subjekte politike. Deri më 7 dhjetor, të gjitha subjektet që kërkojnë certifikimin duhet të dorëzojnë listat përfundimtare me emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.