Administrata amerikane nuk e konsideron të nevojshme që Sekretari i Shtetit Marco Rubio të marrë pjesë në takimin e planifikuar prej kohësh të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, pavarësisht bisedimeve aktuale rreth një zgjidhjeje të mundshme paqësore për luftën në Ukrainë. “Rubio ka marrë pjesë tashmë në dhjetëra takime me aleatët e NATO-s dhe do të ishte krejtësisht jorealiste të pritej që ai të merrte pjesë në çdo takim”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për DPA-në të hënën.
Është e pazakontë që një sekretar shteti amerikan të mos marrë pjesë në një takim zyrtar të NATO-s, raporton agjencia gjermane e lajmeve dpa. “Nuk mbaj mend diçka të tillë në historinë e kohëve të fundit”, tha ish-zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, duke vënë në dukje se mungesa e tij do të dërgonte sinjalin e gabuar, veçanërisht në një kohë kur nevojitet një koordinim më i ngushtë me aleatët evropianë për Ukrainën.
Një arsye e mundshme mund të jetë se një pjesë e administratës amerikane e konsideron NATO-n një pengesë për zbatimin me sukses të iniciativës së fundit të Presidentit Donald Trump, që synon t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Mospajtimet rreth planit të paqes të Trump
Plani i fundit i paqes me 28 pika përfshinte një seksion që i bënte thirrje NATO-s të braktiste plotësisht pranimin e anëtarëve të rinj në bllok. Plani gjithashtu sugjeronte që SHBA-të ta shihnin veten më pak si anëtare të NATO-s dhe më shumë si një ndërmjetëse të jashtme, duke propozuar një dialog midis Rusisë dhe NATO-s të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Anëtarët kryesorë evropianë të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kanë kritikuar pjesë të tilla të planit. Zyrtarët amerikanë reaguan ndaj kësaj duke thënë se do t’i zgjidhnin çështjet e NATO-s veçmas me aleatët.
Zëvendës Sekretari i Shtetit Christopher Landau do të marrë pjesë në bisedimet e së mërkurës, të cilat do të përqendrohen në mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën. Rubio thuhet se ishte në Uashington të martën për angazhime të tjera në Shtëpinë e Bardhë.




