“Hetimet fillestare IPK i kishte filluar me dyshimin se disa zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë brenda zyrave të stacionit policor në Podujevë kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim. Hetuesit e IPK-së në koordinim me  Prokurorinë Themelore në Prishtinë kanë zgjeruar hetimet lidhur me rastin ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Bazuar në veprimet e zgjeruara hetimore dyshohet se në këtë rast janë të përfshirë edhe shtatë zyrtarë tjerë policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin.

“Hetimet lidhur me këtë rast ndaj 6 zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt  me dyshimin për veprën penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, dhe ndaj një togeri policor lidhur me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre’”, thuhet tutje në komunikatë.

Bazuar në veprimet hetimore deri në këtë fazë janë identifikuar 11 zyrtarë të dyshuar lidhur me rastin e njëjtë.