Afro 4.7 hektarë tokë në jugperëndim të vendit do të pastrohen nga minat e mbetura gjatë luftës së fundit. Implementimi i projektit do të kryhet nga ‘Halo Trust Kosova’, organizatë që është marrë me pastrimin e minave që nga paslufta.
Edhe pse ka kaluar mbi çerek shekulli, pasojat e luftës së fundit në Kosovë janë ende të pranishme. Zona kufitare me Shqipërinë ishte më e prekura nga minat që u vendosën nga ushtria serbe në fundvitet e 90-ta. Pas përfundimit të luftës, në këto zona pati edhe viktima civile. Shani Tafaj, është njëri ndër viktimat e ditëve të para të pasluftës.
“Ka qenë një varrezë masive, unë bashkë me dy gazetarë, të cilët ata donin të merrnin pamje, filmime, normal në zbulim të një varreze masive, por ja që fati e deshi që unë të shkeli në minë, ndërsa nuk kemi mundur të arrijmë deri te varreza masive, por pas atij rasti kanë punu shumë ekipe”, tha Shani Tanaj, banor i Gorozhupit, Has.
Se ka ende sipërfaqe të minuara, e pohojnë zyrtarët e komunës së Junikut.
“Menjëherë pas lufte, ka pas edhe viktima nga minat, nga mjetet shpërthyese që la lufta në Kosovë. Kemi tashmë një zonë të caktuar në fshatin Gjocaj, e cila do të pastrohet tashmë dhe do të ndihmojë, qoftë në sigurinë e qytetarëve të Junikut, qoftë në sigurinë e turistëve që shfrytëzojnë malet dhe bjeshkët e Junikut”, tha Besar Toha, nënkryetar i Junikut.
Duke parë rrezikshmërinë që po paraqesin minat në Kosovë, Ambasada Japoneze dhe Halo Trust Kosova, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për de-minimin e disa zonave me rrezikshmëri të lartë.
“Kontrata e grantit që do të nënshkruhet, kap vlerën prej 164 mijë euro, ndërsa ky është një ndër projektet më të mëdha në historinë e GGP japoneze. Në këtë projekt, minat do të pastrohen në zonën perëndimore, në një total prej 4.7 hektarësh. Sipas partnerit tonë Halo Trust, projekti do të ndihmon 13593 banorëve në tre fshatra dhe rrethina, si dhe afërsisht 1500 shëtitësve dhe personelit të sigurisë kufitare, që të kalojnë në mënyrë si çdo ditë. Gjithashtu do të përmirësojë edhe kushtet e jetesës të banorëve të zonave”, tha Hiroyasu Tanigaki, i ngarkuar me punë në Ambasadën japoneze në Kosovë.
Implementimi i projektit do të kryhet nga Halo Trust Kosova, organizatë që është marrë me pastrimin e minave që nga paslufta.
“Për Halo Trust” ka qenë një vit me shumë sfida, duke pas parasysh çështjen e fondeve, ndalesa e fondeve nga EU, dhe më pas ndalesa e fondeve nga USAID-i. Rëndësia specifike është se Ambasada Japoneze, ka vendos të na përkrah me këtë projekt në kohë kritike për organizatën, e sidomos në kohë kritike që kontribuon në pastrimin e mbetjet e fundit të minave që kanë mbetur në këtë pjesë të Kosovës”, tha Fred Welesley, menaxher i projektit.
Deri më sot, shuma totale e investimeve të GGP së Japonisë arrin mbi 4 milionë e 350 mijë, për 65 projekte në gjithë Kosovën.




