Drejtori i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, anëtari i Bordit, Idriz Zejnullahu, dhe konsulenti i Dhomës, prof. Mazllum Baraliu, kanë evidentuar shkelje të shumta ligjore dhe dëme të mëdha ekonomike që po ndikojnë drejtpërdrejt në sektorin privat. Sipas tyre, bllokada ka paralizuar aktivitetet e një numri të madh ndërmarrjesh, thuhet në reagimin e kësaj dhome.

Ahmeti theksoi se jo vetëm bizneset vendëse, por edhe investitorët e huaj janë prekur rëndë nga situata, duke rrezikuar që Kosova të përballet me procese arbitrazhi ndërkombëtar dhe të krijojë një imazh të pafavorshëm për investimet e jashtme.

Bëhet e ditur se zyrtarët e Dhomës kanë paralajmëruar se kriza institucionale ka ulur kapacitetet e punës së bizneseve, ka vënë në rrezik qindra vende pune dhe ka kontribuar në rritjen e importit të zhavorrit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut – një trend që po dëmton rëndë prodhuesit vendorë.

Gjithashtu u theksua se shumë kompani nuk kanë arritur të realizojnë investime dhe bashkë-investime me partnerë të jashtëm në kapacitete të reja energjetike, të cilat konsiderohen thelbësore për gjendjen aktuale të sektorit të energjisë në vend.