Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka lansuar sot platformën e parë të të dhënave të hapura në vend që synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien publike. “Integrity Watch Kosova” paraqitet si një mjet digjital inovativ që u mundëson qytetarëve, mediave dhe organizatave të shoqërisë civile të ndjekin më lehtë se si lidhen pushteti politik, financimi publik dhe pasuria e zyrtarëve.
Platforma përmbledh dhe vizualizon të dhëna mbi tre fusha të ndjeshme ndaj korrupsionit: financimin politik, prokurimin publik dhe deklarimin e pasurisë së zyrtarëve publikë – duke krijuar një qasje të unifikuar dhe të qartë për monitorimin e integritetit në institucionet publike.
Në hapje të ngjarjes, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, theksoi se lufta kundër korrupsionit kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve.
Ai njoftoi se me këtë platformë, KDI dhe katër degë të Transparency International në Ballkanin Perëndimor po i bashkohen rrjetit prej 15 shtetesh të BE-së që përdorin këtë model për rritjen e llogaridhënies.
Në emër të Bashkimit Evropian, Nicola Scaramuzzo, udhëheqës i ekipit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut, tha se integrimi i të dhënave të qëndrueshme dhe të besueshme në një platformë të vetme do të ndihmojë në forcimin e sundimit të ligjit dhe mbikëqyrjen e institucioneve publike.
Ai paralajmëroi se mungesa e luftimit të korrupsionit hap rrugë për praktika të rrezikshme, si lobimi i pakontrolluar dhe abuzimi i pushtetit në favor të interesave të ngushta.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, vlerësoi platformën si shembull të mirë të bashkëpunimit ndërkombëtar për rritjen e transparencës dhe parandalimin e korrupsionit. Ai theksoi se përmes tri seksioneve të saj, platforma reflekton mënyrën se si shpenzohet paraja publike dhe si ndikojnë këto shpenzime në procesin e vendimmarrjes.
Diana Metushi-Krasniqi, hulumtuese e lartë në KDI, prezantoi funksionalitetet e platformës, e cila integron “flamuj të kuq” që sinjalizojnë automatikisht rreziqe të konfliktit të interesit dhe indikatorë të tjerë të mundshëm të keqpërdorimeve.
“Integrity Watch Kosova”, tha ajo, e kthen të dhënën publike në informatë praktike që rrit kërkesën qytetare për transparencë.
Përdoruesit e platformës mund të monitorojnë në mënyrë të detajuar: Financimin e subjekteve politike: donatorët, shumën e kontributeve, datat dhe llojet e tyre, si dhe raportet financiare.
Me këtë lansim, KDI synon të forcojë rolin e qytetarëve dhe mediave në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.




