Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dërguar një mesazh të fuqishëm besimi dhe vendosmërie, duke theksuar se Kosova do të rikthehet në rrugën e zhvillimit dhe demokracisë.
Në një postim në Facebook, Haradinaj kujtoi ditët e luftës, sakrificat e bashkëluftëtarëve dhe mbështetjen e popullit e të familjeve që i dhanë forcë në momentet më të vështira. Ai tha se besimi nuk është humbur kurrë, edhe atëherë kur sfidat ishin të mëdha.
“Na kanë dhënë zemër, forcë e besim familjet e tyre, populli që ishte me ne, kudo në frontet e luftës. Na inkurajonin miqtë ndërkombëtarë në temat më të vështira, kur po i krijonim themelet e shtetit të Kosovës,” shkroi Haradinaj.
Ai akuzoi pushtetin aktual për degradim, propagandë dhe keqpërdorim të lirisë së fjalës, një vlerë për të cilën u luftua dikur.
“Ne nuk zbrapsemi, anipse ofendojnë e shpikin propagandë. Ne luftuam për lirinë e fjalës, për kritikën e protestën, por ata e keqpërdorën deri në ekstrem,” u shpreh ai.
Haradinaj theksoi se ndryshimi do të vijë përmes votës së popullit dhe rikthimit të aleatëve ndërkombëtarë, duke u zotuar se do të rikthehet shpresa për zhvillim.
“Do të bëhemi krah njëri-tjetrit. Do t’ia kthejmë Kosovës miqtë. Do ta rikthejmë shpresën për zhvillim,” përfundoi ai.



