Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot farsë procesin ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, ndërsa uroi që ky teatër absurd të marrë fund në vitin 2026 me lirimin e tyre.
Përmes një videomesazhi ndërsa udhëton drejt Hagës, kryeministri bëri të ditur se do të takojë pas disa kohësh tanimë nga takimi i mëparshëm, Komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Rama kujtoi se Thaçi u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng prej tanimë vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare për turpin e madh të të gjithë atyre që sponsorizojnë atë lloj drejtësie
“Atë lloj drejtësie ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor, janë në fakt e vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë, ku ende pa u dënuar një president i zgjedhur demokratikisht nga populli së bashku me tre bashkëluftëtarë që kanë mbuluar detyra nga më të rëndësishmet mbahen mbyllur të izoluar”, u shpreh Rama.
Rama tha se tani pritet vendimi ndërsa ka mbaruar ekspozeja e pseudo-provave të akuzës, parada e dëshmitarëve qesharakë të sjellë në sallën e drejtësisë ndërkombëtare nga akuza si dhe kanë mbaruar edhe dëshmitë tejet serioze të dëshmitarëve të mbrojtjes.
“Uroj dhe shpresoj, lutem që viti i ardhshëm të jetë viti i mbylljes së perdes së këtij teatri absurd të drejtësisë ndërkombëtare dhe i daljes nga izolimi brutal i Thaçit dhe tre bashkëluftëtarëve të tij”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha po ashtu se uron dhe shpreson se vendet demokratike që sponsorizojnë këtë gjykatë të reflektojnë mbi standardet e ulëta, mbi nivelin shumë nën vijat e kuqe të një drejtësie demokratike.
“Të reflektojnë ndaj gjithë kësaj që prej vitesh po ndodh me njerëzit të cilët të vetmin faj kanë se u rebeluan ndaj regjimi satrap, se morëm armët për të mbrojtur lirinë, dinjitetin e tyre njerëzor, të drejtën e tyre të pamohueshme për të jetuar si njerëz të barabartë të kësaj toke nën të njëjtin diell”, tha Rama.
Dhe këtë të vërtetë, sipas tij, nuk e tund dot askush.
“Le më pastaj një çekiç absurd i një drejtësie ndërkombëtare që në këtë rast ka lënë kokrrën e namit. Dua shumë të besoj se në fund e drejta do të fitojë. Këtu ka vetëm një të drejtë, është e drejta e bekuar përjetësisht në gjakun e heronjve, martirëve, me dhimbjet e patregueshme të nënave, motrave, grave, vajzave të përdhunuara dhe të sakatuara gjatë një periudhe nga më të zymtat për vetë Europën, në zemër të Europës”, shtoi Rama.




