Në zbatim të urdhëresës së Departamentit Special të Gjykatës në Prishtinë, Policia e Kosovës, antropologë të mjekësisë ligjore dhe përfaqësues të EULEX-it kanë rifilluar gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të luftës së fundit në Kosovë, në territorin e Rahovecit, pikërisht në vendin e quajtur “Përzhina.
Mbetjet mortore të një personi dhe disa pjesë kockore të tjera janë gjetur në rajonin e Rahovecit, e që dyshohet se janë të viktimave të luftës.
Ditor Haliti, përfaqësues i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), ka bërë të ditur se mbetjet mortore janë transferuar në IML për verifikim dhe identifikim, ndërsa ka theksuar se bazuar në të dhënat fillestare, bëhet fjalë për viktima të periudhës së luftës në komunën e Rahovecit. Ai ka sqaruar se ky lokacion ishte gërmuar edhe më herët nga Tribunali i Hagës dhe ekipet e UNMIK-ut, por analizat e fundit kanë treguar se jo të gjitha mbetjet janë zhvarrosur atëherë.
Sipas Halitit, falë punës analitike të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe institucioneve vendore, është arritur në përfundimin se një numër i personave të zhdukur mund të jenë ende të varrosur në këtë zonë. “Ky numër është deri në tetë, nuk mund ta saktësojmë, mund të jetë edhe më i vogël por maksimum mund të jetë tetë”, ka thënë ai.
Haliti ka shtuar se gjatë këtij viti, në Kosovë janë gjetur mbetjet mortore të 22 individëve, të cilat dyshohet se u përkasin viktimave të luftës.
Ndërkohë, Kushtrim Gara, përfaqësues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka deklaruar se bëhet fjalë për verën e vitit 1998, kur forcat serbe, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimeve, kanë groposur trupat e më shumë se 40 viktimave shqiptare në këtë zonë të Rahovecit.
Gara ka shtuar se në këtë lokacion janë zhvilluar gërmime edhe në vitet 1999, 2002 dhe 2007, por pas analizimit të dokumentacionit dhe të dhënave ekzistuese, Komisioni ka arritur në përfundimin se mbetjet mortore të 36 viktimave janë zhvarrosur, ndërsa për të paktën tetë persona dyshohet se ende ndodhen në këtë zonë.




