Në kuadër të fushatës zgjedhore, kandidati për kryeministër dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zhvilluar takim me ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të organizuar si vullnetarë, në Malishevë, ku ka shpalosur programin e kësaj partie.
Gjatë fjalimit, Limaj ka kujtuar periudhën e luftës dhe angazhimin e përbashkët të bashkëluftëtarëve, duke bërë thirrje që, edhe në rrethanat e sotme politike, të ruhet fryma e mobilizimit dhe bashkimit.
“Po organizohen grupe vullnetare dhe po i përgjigjen ftesës për me ‘ça rrethimin bashkë’. Ju e dini që pa zgjerimin dhe pa juve, këto punë nuk bëhen. Ju falënderoj që keni marrë iniciativë e vullnetarisht me gjithë shokë e bashkëluftëtarë, të rreshtohemi që këto ditë që kanë mbetur kudo që të mundemi, të punojmë bashkë dhe të zgjerojmë rrethin tonë më shumë për t’i arritur objektivat tona”, ka thënë Limaj.
Ai ka theksuar se edhe gjatë luftës, në mungesë komunikimi dhe mjetesh, ish-luftëtarët i janë përgjigjur thirrjeve dhe urdhrave, duke vepruar në rrethana që sot, sipas tij, janë të vështira për t’u imagjinuar. Ai ka rikujtuar përballjen me forcat serbe dhe mbrojtjen e popullatës civile, duke vlerësuar rolin e ish-ushtarëve në zonat ku, siç tha, u mbrojtën mijëra banorë.
“Çka ka na shti në atë angazhim? Vullneti. Rruga e mbarë, rruga e drejtë, rruga drejtë lirisë. Unë mundohem me e thënë një gjë që nuk e kemi thënë shpesh e ju e dini, ju që jeni ushtarë. Ju e dini në çfarë rrethane kemi mbrojtur 85 mijë banorë. Këtu janë ushtarët e pikërisht e atyre grykave, djemtë të cilët me trupin e vetë e kanë mbrojtur çdo familje, çdo fëmijë, grua, plak e të rinjtë, përball forcave serbe dhe ajo gryka jonë, ka arritur me sukses me dal faqebardhë”, ka shtuar Limaj.
Duke bërë krahasim mes periudhës së luftës dhe realitetit të sotëm, Limaj tha se thirrja aktuale ka karakter politik dhe lidhet me angazhimin në institucionet e Kosovës, për të ruajtur, sipas tij, vlerat e luftës dhe kujtesën historike. Ai theksoi se prezenca e Nismës në Kuvendin e Kosovës është e rëndësishme për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, si simbol të bashkimit dhe forcës politike.
“Sot, jemi në një rrethanë tjetër. Ne e gëzojmë produktin e lirisë, e gëzojnë fëmijët tanë. Jemi në rrethanat e ndërtimit të zhvillimit të shtetit. Kjo ftesa ime që ju iu keni përgjigjur për ‘çarje të rrethimit’ e ka kuptimin politik. Ne besojmë fort që prezenca jonë në Parlamentin e Kosovës është e rëndësishme për të ruajtur këto vlera për trashëgimi, për të ruajtur memorien historike të këtij vendi dhe për të vazhduar për të dhënë kontributin në ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. Tanimë e kemi një objektiv, që ne po e shohim që në numrin 122 është bashkimi, është forca, është dinjiteti. Bashkimi i cili krijon një grupacion politik i cili është i gatshëm t’i fitojë zgjedhjet. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një mentalitet të qëndrueshëm, një mentalitet që lufton, që angazhohet, që beson aty, që punon. Prandaj, ne jemi bashkë krejt që këto ditë me na u bashku këtij karvani të vullnetarëve që vazhdon anekënd Kosovës”, ka nënvizuar Limaj.
Në fund të takimit, kryetari i Nismës Socialdemokrate prezantoi edhe kandidatët për deputetë nga kjo komunë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.




