Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë është përzgjedhur si Anëtare Kandidate e Zgjerimit (Enlargement Candidate Member – ECM) në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian (EESC).
Me këtë status, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, si përfaqësuese e qindra bizneseve në vend, do të ketë mundësi të kontribuojë në hartimin e opinioneve të EESC-së që lidhen me organizatat e shoqërisë civile dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Përzgjedhja nga EESC përfaqëson një njohje të rëndësishme ndërkombëtare për rolin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë në përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit. Po ashtu, kjo përzgjedhje krijon një mundësi të drejtpërdrejtë për përfshirje aktive në proceset konsultative dhe politike të Bashkimit Evropian.




