Nisma Socialdemokrate ka shpalosur programin para mbështetësve të saj në Llapushnik të Drenasit. Kandidati për kryeministër, Fatmir Limaj, premtoi investime në shumë fusha, derisa shtoi se në zgjedhje po shkohet me kauzën e madhe për bashkim dhe ndryshim në të mirë të vendit.
Limaj në këtë rast premtoi investime në shumë fusha, derisa shtoi se në zgjedhje po shkohet me kauzën e madhe për bashkim dhe ndryshim për të mirë të vendit.
“Në numrin 122 është bashkimi, është forca dhe është ndryshimi. Kemi hyrë në një rrugë drejt një bashkimi të rikthimit të fuqishëm të asaj që neve na ka dhënë identitet të gjithëve bashkë. Bashkimi i forcon njerëzit, e bën më të fortë këtë frymë e pastaj kur je i fortë e ke edhe fitoren. Kosova ka nevojë për ndryshim. Ju falënderoj që sonte e keni ndarë kohën, jo vetëm këtu ku jemi sot. Për mua është krenari, sepse Llapashniku dhe kjo grykë e Drenicës, çdo rrugë është histori. Pjesën më të mirë të jetës time me juve bashkë e kam pasur këtu. E dini se si në kohë të vështira po edhe në të lehta kemi qenë bashkë. Me juve bashkë jemi bërë mur e i kemi mbrojtur 85 mijë civilë. Edhe këtu na ka mbajt besimi. I kemi besuar fort njëri – tjetrit dhe kemi besuar në objektivin tonë se ku duam të dalim”, ka thënë Limaj.
Tutje ai tha se me Nismën vendit do t’i kthehet shpresa e humbur viteve të fundit, duke theksuar se premtimet e bëra në fushatë nuk do të mbesin vetëm në letër, por do të punohet fort për realizimin e tyre, teksa ka thënë se kur ka besim e vullnet, çdo gjë mund të arrihet.
“Kemi besuar në rrugën tonë, në rrugën e Zotit, në rrugën e lirisë. Nuk kemi qenë të fortë, halli jonë ka qenë goxha i rëndë. Kemi qenë një grusht, s’kemi qenë shumë por jemi rritur. Si jemi rritur e si kemi ardhur deri këtu ku jemi sot, në zemër të kësaj pune ka qenë besimi ynë se jemi në rrugën e drejtë, kauza jonë e shenjtë, vendosmëria jonë për të çarë rrethim e për ta çliruar vendin. Ai besim e ai vullnet ka arritur me mund 100 herë armikun më të fuqishëm se ne përballë”, ka shtuar Limaj.
Në këto zgjedhje Nisma Socialdemokrate garon me listën prej 110 kandidatësh për deputetë të Kuvendit të Kosovës.





