Tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, Granit Plavë dhe Kushtrim Kokalla, janë paraqitur sot në gjykatë. Ata janë dërguar nën masa të rrepta sigurie dhe me duar të lidhura, teksa pritet që të nisë seanca.
Në kuadër të provave kundër të akuzuarve, janë duke u shfaqur video incizimet e ditës kur është vrarë Liridona Ademaj.
Prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq ka deklaruar se pamjet fillestare janë nga shtëpia e të akuzuarit Naim Murseli teksa del nga shtëpia dhe shkon e takohet në një pompë të derivateve me Granit Plavën në fshatin Cermjan.
Pamjet dokumentojnë se ata bisedojnë, pasi dalin të dy nga veturat e tyre. Videot e tjera të shfaqura tregojnë momentin e mbërritjes së viktimës Ademaj në shtëpinë e saj në Bërnicë.
Sot seancë ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt
Sh.Ç|RTKlive
Në orën 09:30 mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.
Seanca është planifikuar të filloi në orën 09:30. Të tre të akuzuarit po gjykohen për vrasje të rëndë.
Raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.
Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm, Granit Plava nuk u deklarua, ndërsa Kushtrim Kokalla tha se nuk do të deklarohej pa u konsultuar me mbrojtjen. Fajtor u deklarua Tom Dodaj, i cili u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, raporton RTKlive.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15 janar 2025, ngriti aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt. Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla kishin dakorduar që vrasja të kryhej nga Plava, me marrëveshje që Murseli t’i paguante 30 mijë euro.




