Sipas një deklarate nga Komiteti Hetues Rus, gjenerali i vrarë është Fanil Sarvarov, kreu i Departamentit të Trajnimit Operacional të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse.

”Hetuesit po shqyrtojnë disa motive të mundshme për vrasjen, duke përfshirë nëse shërbimet sekrete ukrainase ishin të përfshira”, tha zëdhënësja e komitetit Svetlana Petrenko në një deklaratë.

”Sarvarov, 56 vjeç, së fundmi shërbeu si kreu i departamentit në Shtabin e Përgjithshëm të Rusisë”, sipas hetuesve.

Në vitet 1990 dhe në fillim të viteve 2000, 56-vjeçari Sarvarov luftoi  në konfliktin osetiano-ingush dhe në luftën në Çeçeni, dhe në vitet 2015-2016, ai mori pjesë në operacionet ushtarake ruse në Siri. Sipas botimit Proekt, Sarvarov luftoi  gjithashtu në luftën kundër Ukrainës.

Një çështje penale është hapur sipas neneve për vrasje të kryer në një mënyrë përgjithësisht të rrezikshme dhe për trafikim të paligjshëm të eksplozivëve.

“Hetuesit po ndjekin teori të ndryshme. Njëra prej tyre lidhet me krimin e orkestruar nga shërbimet e inteligjencës ukrainase”, tha Komiteti Hetues në një deklaratë.

Nuk ka pasur komente nga pala ukrainase në lidhje me vdekjen e gjeneral Sarvarov.

Sulmi vjen pas një serie incidentesh të ngjashme që synonin oficerë të lartë rusë.

Më 17 dhjetor 2024, gjenerali Ivan Kirillov, i cili komandonte forcat e mbrojtjes bërthamore, biologjike dhe kimike të Rusisë, u vra në një sulm me bombë në Moskë.

Shërbimet sekrete ukrainase morën përgjegjësinë për ngjarjen.

Një tjetër gjeneral rus, Yaroslav Moskalik, u vra në Moskë në prill kur një pajisje shpërthyese shpërtheu pranë një automjeti ndërsa ai kalonte pranë.

Moskalik më parë kishte qenë i përfshirë në negociata që synonin zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.