Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar të dielën Suharekën, Shtimen dhe Lipjanin, ku ka prezantuar programin dhe vizionin e tij për qeverisjen e Kosovës në katër vitet e ardhshme.
Në takimet me qytetarët, Hamza theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe bashkim, duke shtuar se është koha për hapjen e një kapitulli të ri politik dhe ekonomik për vendin.
Ai bëri të ditur se programi i tij qeverisës mbështetet në katër shtylla kryesore: zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale, arsimin dhe shëndetësinë, forcimin e drejtësisë, si dhe mbrojtjen dhe politikën e jashtme.
Hamza u zotua për rritje të pagave dhe pensioneve për 50 për qind, shfuqizimin e ligjit aktual për tatimin në pronë, mbështetje për bizneset vendore, si dhe krijimin e një fondi vjetor prej 30 milionë eurosh për bursa studentore. Po ashtu, ai premtoi investime për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend.
Kandidati i PDK-së për kryeministër u bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të votojnë për zhvillim dhe stabilitet, duke mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës me numrin 130.
Hamza ftoi edhe bashkatdhetarët që gjatë festave të fundvitit të vijnë në Kosovë dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.




