Sot do të mbahet mbledhja komemorative në nder të kujtimit të këngëtarit Shemsi Krasniqi – Shemi të grupit “Ilirët”.
“Sot, në ora 13:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, do të mbahet mbledhja komemorative në kujtim të këngëtarit Shemsi Krasniqi – Shemi”, ka njoftuar Ministria e Kulturës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, Shemi është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, pasi gjendja shëndetësore i ishte përkeqësuar. Ekipet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa mjekët kanë konstatuar vdekjen. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Shemsi Krasniqi mbetet i paharruar si interpretuesi i këngës ikonike “Xhamadani vija vija”, e cila ndër vite u shndërrua në një simbol kombëtar, të kënduar brez pas brezi në ngjarje kulturore, festa dhe momente historike për shqiptarët.
Si vokalist i grupit “Ilirët”, një nga formacionet më të rëndësishme të viteve ’80, Shemi la gjurmë të thella në historinë e rock-ut shqiptar. Këngë si “Fjalët e qiririt”, “Kënga e Naimit” dhe “Larg vendlindjes” u bënë zë i mallit, atdhedashurisë dhe shpresës, në një kohë kur muzika ishte edhe formë rezistence.




