Në Programin e Mëngjesit në RTK, e ftuar ishte drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), Blerta Zeqiri, e cila foli për të arriturat e kinematografisë kosovare gjatë vitit 2025.

 

Zeqiri tha se ky vit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm për filmin në Kosovë, duke theksuar risitë dhe zhvillimet e rëndësishme që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e sektorit audiovizuel.

“Viti 2025 ka qenë një vit mjaft i suksesshëm për kinematografinë kosovare dhe filmin në përgjithësi, pasi kemi pasur disa risi shumë të rëndësishme. Njëra ndër to është fillimi i zbatimit të rregullores së rabatit, e cila fton produksionet e huaja të vijnë dhe të investojnë në Kosovë”, tha Zeqiri.

Sipas saj, kjo rregullore u mundëson kompanive të huaja që të realizojnë filma dhe projekte audiovizuele në Kosovë, duke shfrytëzuar kapacitetet vendore dhe duke punësuar profesionistë të industrisë së filmit.

“Kjo rregullore është aplikuar për herë të parë këtë vit dhe vetëm brenda një viti, në Kosovë kanë hyrë mbi një milion e gjysmë euro investime nga jashtë për filma, seriale, reklama televizive dhe filma të shkurtër”, theksoi Zeqiri.

Ajo e cilësoi këtë si një lajm shumë pozitiv për industrinë e filmit në vend, duke shtuar se, megjithëse rezultatet janë inkurajuese, QKK synon edhe më shumë zhvillim në të ardhmen.