KFOR-i ka bërë të ditur se gjatë takimit, gjeneralët shkëmbyen pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajonin e gjerë.

“Gjenerali Ulutash shprehu gjithashtu vlerësimin e tij të sinqertë për kontributin e vlefshëm të Shqipërisë në misionin KFOR-it”, thuhet në njoftim.

KFOR-i rithekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

“KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”.

Më herët gjatë ditës, me nderime të larta ushtarake shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji u prit edhe nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.