Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim zgjedhor edhe në komunën e Istogut. Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, prezantoi programin e tij qeverisës, duke premtuar rritje pagash dhe pensionesh për të gjitha kategoritë, ulje të çmimit të energjisë elektrike, si dhe ndërtim të rrugëve dhe autostradave.

 

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë një tubimi me qytetarët e Istogut, premtoi zhvillim ekonomik, rritje pagash, ndërtim të rrugëve magjistrale dhe autostradave, si dhe ulje të çmimit të energjisë elektrike. Ai theksoi se PDK ka ekipin më të përgatitur për realizimin e projekteve të premtuara.

Hamza tha se sektori privat do të jetë prioritet i qeverisjes së tij, duke veçuar turizmin dhe sektorin e teknologjisë informative, për të cilët premtoi lehtësira fiskale, subvencione dhe grante. Ai shtoi se pagat deri në 400 euro nuk do të tatohen.

Kandidati për kryeministër po ashtu premtoi legalizimin e objekteve me taksë simbolike, krijimin e fondit të papunësisë me garanci prej 80 për qind të pagës së fundit, si dhe rritje të pensioneve për të gjitha kategoritë.

Hamza deklaroi se me rritjen e buxhetit dhe zhvillimin ekonomik do të rriten pagat në sektorin publik për 50 për qind, përfshirë policinë, ushtrinë dhe zjarrfikësit. Ai premtoi gjithashtu rritje të pensioneve për 50 për qind, duke shtuar se pensioni më i ulët do të jetë 250 euro.

Ndër të tjera, në Istog Hamza premtoi rritje të pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, mbulim të nevojave financiare për trajtim shëndetësor, si dhe mundësi punësimi për veteranët.

Ai premtoi gjithashtu arsim modern, fond prej 30 milionë eurosh për shkollimin e të rinjve, rritje të numrit të çerdheve dhe subvencionim prej 100 eurosh për çdo fëmijë për çiftet e reja.