Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në komunën e Klinës. Kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër, Ramush Haradinaj, prezantoi programin e tij qeverisës, duke premtuar pavarësim energjetik, anëtarësim në NATO dhe rritje pagash.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherësh kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi me qytetarët e Klinës, tha se AAK kësaj radhe ka listën më të mirë në Kosovë dhe se për këtë arsye e meriton mbështetjen e qytetarëve të kësaj komune.
Haradinaj theksoi se rritja e pagave, pensioneve dhe shtesave do të arrihet përmes rritjes së prodhimit vendor të energjisë elektrike, duke përmendur projektet ekzistuese për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, përfshirë edhe projektin e gazit natyror.
Ai shtoi se një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij do të jetë edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO, duke theksuar se e njeh rrugën dhe mekanizmat për realizimin e këtij synimi.
Në Klinë, Haradinaj premtoi gjithashtu bursa për studentë, rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe shtesa për fëmijë.
Ai theksoi se nuk kërkon votë për pushtet personal, por për të realizuar projekte konkrete për vendin, duke përmendur si shembuj Ligjin për Trepçën, rritjen e prodhimit të energjisë elektrike dhe formimin e Ushtrisë së Kosovës gjatë qeverisjes së tij.




