Në parkingun e një objekti në Fushë-Kosovë janë thyer shtatë vetura në orët e hershme të së mërkurës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rreth orës 02:45, nga veturat janë vjedhur gjësende të ndryshme, kryesisht vegla pune. Rasti është cilësuar si vjedhje e rëndë.
Njësitë e hetuesisë kanë arritur të identifikojnë një të dyshuar, mashkull kosovar. Gjatë kontrollit të realizuar në shtëpinë e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar shumicën e sendeve të raportuara si të vjedhura.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Raportohet se në parkingun e një objekti janë thyer 7 vetura, prej të cilave janë vjedhur gjësende të ndryshme (kryesisht vegla pune). Lidhur me rastin njësitë e hetuesisë kanë identifikuar të dyshuarin mashkull kosovar, ku gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar shumica e gjërave të raportuara të vjedhura. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.




