Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i uroi të gjithëve një Krishtlindje të Gëzuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale, “përfshirë edhe fundërrinën e së majtës radikale”, duke iu referuar kundërshtarëve të tij demokratë, të cilët ai i akuzon rregullisht si shkaktarë të të gjitha të këqijave.
Sulmimi i demokratëve dhe lavdërimi i mandatit të vet
“Gëzuar Krishtlindjet të gjithëve, përfshirë edhe fundërrinën e së majtës radikale që po bën gjithçka që mundet për të shkatërruar vendin tonë, por po dështon plotësisht në këtë drejtim”, tha presidenti republikan në Truth Social, përpara se të rendiste ato që ai i konsideron sukseset e mandatit të tij. “Po respektohemi përsëri, ndoshta si kurrë më parë. Zoti e bekoftë Amerikën!!!”
Demokratët dhe Biden janë objektiva të rregullta të kritikave
Ekonomia, tensionet sociale dhe madje edhe konfliktet ndërkombëtare – Donald Trump fajëson rregullisht Partinë Demokratike, dhe veçanërisht ish-Presidentin Joe Biden, për vështirësitë me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe bota, shkruan AFP.
Në kategorinë e “të majtës radikale”, me stilin e tij të ashpër, ai përfshin lehtësisht të gjithë demokratët dhe kundërshtarët politikë, madje edhe ata që konsiderohen të moderuar ose të qendrës. Donald Trump po i kalon pushimet e Krishtlindjeve në Mar-a-Lago, rezidencën e tij në Florida.




