Kryetari i PDK-së dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video të re në kuadër të fushatës zgjedhore, ku shpalos zotimet e tij kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit dhe fuqizimin e sektorit privat.
Në video, Hamza prezanton një sërë masash ekonomike, ndër to: ndryshimin e mënyrës së pagesës së TVSH-së, e cila nuk do të paguhet më në kufi, por brenda vendit dhe vetëm pas shitjes së produktit, duke lehtësuar ndjeshëm barrën financiare për bizneset. Po ashtu, ai premton grante investive deri në 30% të vlerës së investimit për bizneset e reja dhe ato në zhvillim.
Hamza paralajmëron investime në kapacitete të reja energjetike për uljen e çmimit të energjisë për qytetarët dhe bizneset, si dhe investime të fuqishme në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore për të lehtësuar transportin e njerëzve dhe mallrave brenda dhe jashtë Kosovës.
“Unë jam Bedri Hamza, dhe ky është misioni im: një Kosovë që funksionon për të gjithë”, përfundon ai mesazhin e tij, duke e mbyllur videon me sloganin: Bashkë. Përpara.




