Për shqiptarët ky është një moment bashkimi dhe përkujtimi i lidhjes së ngushtë me natyrën. Si e tillë kjo traditë e lashtë që nga paganizmi  sjellë ngrohtësi , dritë dhe pastrim shpirtëror për familjen.

Në shenjë falënderimi për gjithçka jeta u ka dhuruar e me urimet për një vit të mbarë familja Hajdari në Palabardh të Gjakovës e ka ndezur Buzmin në prag të Festës së Krishlindjes.

Ndezja e Buzmit, për shqiptarët është një moment bashkimi dhe përkujtimi i lidhjes së ngushtë me natyrën. Si e tillë kjo traditë e lashtë që nga paganizmi sjellë ngrohtësi, dritë dhe pastrim shpirtëror për familjen.

“Na ka mbetur traditë për thirrjen e bereqeteve të zakonshme për me festu së bashku, me i rikujtue traditat e më parshme. Sot kanë ardhë kushte më të mira,  tash nëna po shkon te 83- 84 vjet ka përjetu shumë edhe besoj se mundet edhe kjo dy fjalë me na i tregue qysh e ka festu dikur moti”, ka theksuar Anton Hajdari.

E nëna e tij u tregoi për këtë traditë. “Si të vegjël shkojshin i prejshin drutë në mal e i sillnin aty në oborr edhe ia banim adetin kësaj natës së Krishtit”.

“E kemi trashëguar prej të parëve dhe do ta përcjellim kështu. Ne kemi kënaqësi të veçantë që mërgimtarët tanë në botën e jashtme janë shumë të kujdeshëm edhe rregullisht vijnë për ta festuar në familje pranë gjirit familjar. I lus që sa më shumë të vijnë gjithë populli shqiptar e të investojnë këtu se kjo është toka jonë, vendlindja jonë ku na ka lindur nana”, tha Frrok Hajdari.

E Mustafë Alijaj i cili iu ka bashkuar kësaj feste thotë se tradicionalisht festat i kanë kremtuar së bashku.

“Palabardhi janë si dy vëllezër dhe të gjithë bashkohemi  si për festë të Bajramit si për festa të Krishtlindjes si për Pashkë. Ne i festojmë së bashku dhe gëzohemi kur afrohen dhe vijnë këto festa sepse na vijnë gjithë vëllezërit, djemtë e ri të gjithë bashkohemi dhe I festojmë të gjithë në një vend”, tha ai.

Me mesazhe paqeje, mirëqenje dhe dashurie, Krishtlindjen, këtë festë përbashkuese të gjithë botës së krishterë, tradicionalisht e festojnë edhe shqiptarët katolikë kudo që janë.