Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se me qeverisjen e tij, jeta e qytetarëve do të ndryshojë në të gjitha dimensionet, përfshirë edhe rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Këto zotime Abdixhiku i bëri në Shtime, ku tha se programi i LDK-së, ofron zgjidhje për të gjitha problemet.
“Pa familje të fortë nuk ka as shtet të fortë. Pa familje të qëndrueshme, nuk ka zhvillim të qëndrueshëm të republikës, prandaj e kemi marrë një vendim shumë të qartë politik e moral, Kosova duhet të investojë tek familja, seriozisht fort dhe drejtpërdrejtë. Ne kemi paraparë që të themelojmë menjëherë Ministrinë e Familjes dhe Mirëqenies që do të merret me familjen kosovare në çdo etapë të zhvillimit të saj, nga lindja tek punësimi e deri tek pensionimi”, tha ai.
Abdixhiku u zotua gjithashtu për investime në arsim, ndërtimin e objekteve shkollore, përmirësimin e kushteve në shëndetësi dhe ndërtimin e spitalit. Rritje të pagave të mësuesve, policëve, pjesëtarëve të FSK-së, si dhe rritjen e pensioneve në 300 euro.
“80 çerdhe do të ndërtojmë në gjithë Kosovën, që fëmijët tanë nga mosha 3 deri në 6 vjeçare të jenë në çerdhe e mësimin tërëditor. Atë që e dëgjoni nga çdo parti politike në çdo komunë, ta kuptoni e ka bërë vetëm LDK në Prishtinë, e siç e kemi bërë në Prishtinë do ta bëjmë në çdo komunë të Kosovës. 1 mijë euro do të jenë pagat për mësuesit, 900 euro për policët, 900 për ushtarët, 900 për zjarrfikësit e Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.
Në këtë tubim u tha se Lidhja Demokratike e Kosovës përfaqëson një zgjidhje shprese për të ardhmen dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të vendit.




