Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në Rahovec. Atje, kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër, Ramush Haradinaj, deklaroi se programi i AAK-së është orientuar në bujqësi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në Rahovec. Atje, kandidati i këtij subjekti politik për kryeministër, Ramush Haradinaj, deklaroi se programi i AAK-së është orientuar në bujqësi. Ai foli edhe për ekonominë për të cilën tha se nuk mund të ecë përpara pa stabilitet ekonomik, gjë të cilën premtoi se do ta realizojë. Haradinaj, po ashtu, premtoi se Kosovën do ta anëtarësojë në NATO.
Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kandidatët për deputet nga ky subjekt politik, kanë mbajtur tubimin përmbyllës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit me simpatizantë nga komuna e Rahovecit.
Haradinaj në këtë komunë deklaroi se programi i AAK- së është orientuar në bujqësi.
“Në programin tonë ne i kemi investimet në rrjetin e ujitjes që janë shumë të mëdha, por edhe në krejt infrastrukturën tjetër bujqësore. Njëkohësisht parasheh ligjin për ta shpallë Rahovecin si zonë të veçantë bujqësore, e nga i cili ligj do të vijnë përfitime direkte për Rahovecin. Këto i kemi diskutuar me kryetarin, këto janë të vërteta, nuk janë veç fjalë”, tha Haradinaj.
Ttuje Haradinaj tha se numri 129 e meriton votën e qytetarëve , pasi ka pjekurinë e saj për të udhëhequr vendin.
“Nëse 129 e merr votën çka mundemi me bë në Kosovë? Me pjekurinë time politike, nuk po them me kohën e gjatë në politikë, por pjekurinë, e kush don me kuptuar çfarë d.m.th. pjekuria, besoj e kupton se pse po e flas. Sepse kemi kaluar nëpër një papjekuri të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
Ai foli edhe për ekonominë e cila sipas tij nuk mund të ecë përpara pa stabilitetin e energjisë elektrike .
“Për me ndreq ekonominë në Kosovë, duhet me ndreq energjinë. I kam lënë dy kontrata në qeveri, një për termocentral me qymyr, 450 megavat, 80 euro megavati, sot Kosova e blen deri në 1000 euro dhe një me gaz. Gazsjellësi amerikan prej Shkupi në Ferizaj”, tha ai.
Haradinaj gjithashtu premtoi se Kosovën do ta anëtarësojë në NATO.
“Në moment që ti e merr ftesën për NATO, porosia qohet – vend i sigurt, investo se aty është NATO. Edhe njerëzit e Kosovës ndihen më të sigurt, Diaspora jonë ndihet më e sigurt për të investuar. Kushdo që ka interes ekonomik vjen te na vrap. Dhe na kthehen fondet, na kthehen paratë”, tha ai.
Ramush Haradinaj, duke kërkuar votën e rahovecianëve, premtoi rritje të pagave e pensioneve dhe përmirësim të jetës së qytetarëve në të gjitha fushat e jetës.



