Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me një njoftim të përfshirë në faturat e KESCO-s, ku ndërprerja e energjisë elektrike është përmendur si shkaktuar nga KEK-u.
Në reagim, KEK thekson se ky informacion është i pasaktë dhe keqinformues. Si prodhues i energjisë elektrike, KEK nuk ka kompetencë mbi rrjetin e shpërndarjes apo furnizimin e konsumatorëve dhe nuk është përgjegjës për ndërprerjet e energjisë që shfaqen në faturat e KESCO-s.
Korporata apelon te qytetarët që çdo faturë apo njoftim që përmban informacione të tilla të raportohen tek Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), si autoriteti kompetent për këtë fushë.
Gjithashtu, KEK i bën thirrje ZRRE-së që të trajtojë këtë çështje me seriozitet, duke siguruar qartësi dhe saktësi në komunikimin me konsumatorët, për të shmangur keqkuptimet e ardhshme.
Ky reagim vjen për të ruajtur reputacionin institucional dhe për të siguruar transparencë në proceset që lidhen me furnizimin me energji elektrike në Kosovë.



