Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në RTK ka theksuar rëndësinë e një fitoreje të qartë mbi 50% në zgjedhjet e ardhshme për të siguruar qeverisje të shpejtë, stabile dhe efektive. Sipas Kurtit, vetëm me një legjitimitet të tillë LVV mund të ndërmarrë vendimet e nevojshme për siguri, begati dhe zhvillim ekonomik, pa pengesa politike dhe burokratike.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka folur për mundësinë e bashkëpunimit me partitë tjera politike, por ka theksuar se aktualisht i duhet një fitore mbi 50%.
“Me gjithë intoksikimin e atmosferës, unë nuk po e shoh se si është e mundshme bashkëqeverisja. Në anën tjetër, nëse nuk kemi qeveri edhe për dy muaj si qeveri në detyrë, me vetëm një të 12-in e buxhetit, mund të kemi buxhet. Por në mars ngelim pa asgjë, duke shtuar faktin se më 4 mars është afati kur duhet të zgjidhet ose rizgjidhet presidenti. Ne kemi obligim për bashkëpunim, sidomos në fazat e mëvonshme, mirëpo tani na duhet fitore mbi 50% që të ecim mbarë, mirë dhe shpejt.”
Kurti ka përmendur gjithashtu shembullin e formimit të qeverisë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur LVV ishte fituesi i qartë dhe qeveria u formua shpejt.
Kurti: Qytetarët do të vendosin për siguri dhe begati
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës tha se gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme, ndonëse më e shkurtër, patën takime e tubime në gjithë Kosovën.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti deklaroi se qytetarët tashmë janë të informuar për programet dhe, siç tha, kur të drejtohen nesër tek kutitë e votimit, nuk do të kenë dilema. Ai theksoi se qytetarët do të vendosin për siguri dhe begati.
“Siguria nënkupton sundimin e ligjit, rendin publik, mbrojtjen e kufijve, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, por gjithashtu përfshin sigurinë e ujit dhe energjisë. Në anën tjetër, begatia lidhet me mirëqenien, ku rritja ekonomike duhet të shpërndahet në mënyrë të drejtë. Sepse kuptimi i një ekonomie që rritet është që përfituesit të jenë gjithë qytetarët dhe jo një grup apo shtresë e caktuar. Pra, siguria është, në njërën anë, kushti dhe garancia për begatinë, sepse duhet të sigurojmë që begatia të jetë e qëndrueshme, dhe nga ana tjetër, begatia është dobia dhe kuptimi që rrjedh nga siguria”, deklaroi ai.
Kurti tregon pesë vendimet e para nëse merr mandatin e tretë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka prezantuar pesë vendimet e para që planifikon t’i marrë nëse merr mandatin e tretë.
“Jam në muajin e dhjetë të vitit të pestë të mandatit të plotë katërvjeçar. Votimi do të bëhet menjëherë në mbledhje të Qeverisë, pastaj në Kuvend, në dy lexime, për buxhetin që do të arrijë 4 miliardë euro. Buxhetin në vitin 2021 e kam gjetur nga pararendësi im, Avdullah Hoti, ndërsa ministër i Financave atëherë ka qenë Hykmete Bajrami. Ata na kanë lënë një buxhet prej 2.4 miliardë eurosh. Sivjet, buxheti ishte 3.6 miliardë, ndërsa vitin e ardhshëm do të arrijë 4 miliardë. Pse ka ndodhur kjo? Sepse është rritur ekonomia. Produkti i Brendshëm Bruto e kemi gjetur 7 miliardë euro, sivjet është 11 miliardë, ndërsa vitin e ardhshëm pritet të arrijë 12 miliardë. Qarkullimi i bizneseve është dyfishuar”, theksoi Kurti.
Kurti njoftoi se vendimi i dytë që do të merret në mbledhjen e parë të qeverisë në mandatin e tretë lidhet me vendosjen e çmimeve tavan, në mënyrë që shporta e konsumatorit të jetë e përballueshme.
Ai theksoi rëndësinë që të mos abuzohet me çmimet dhe përmendi se janë kaluar dy vite e një muaj që kur Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë Ligjin për Çmimet Tavan.
“Qeveria duhet të mundësojë përdorimin e buxhetit në mënyrë efikase, pa ndërhyrje nga Gjykata Kushtetuese, dhe të sigurojë që shporta e konsumatorit të jetë e përballueshme,” tha ai.
Kurti foli edhe për ndryshimin e ligjit që heq kufizimin e punësimit për veteranët e UÇK-së që marrin beneficione. Ai deklaroi se qeveria do të shqyrtojë komplet dosjen dhe do të marrë vendim për ecjen përpara.
“Meqenëse gjykata ka marrë vendimin e saj, tani mund të ecim përpara pa ndërhyrje në procesin gjyqësor, duke mundësuar që veteranët të zgjedhin mes punësimit dhe beneficionit, ose të dyja njëherësh. Lirinë që kemi e kemi falë dëshmorëve, martirëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së. Investimet te Ushtria e Kosovës, nën komandën e Bashkim Jasharit, janë të papara dhe të paimagjinueshme. UÇK mbrohet më së miri me një ushtri të fortë”, tha ai.
Kurti tha se, me të kryeministër, punëtorëve në sektorin publik do t’u jepet paga e 13-të.
“Buxheti i përgjithshëm për pagat në sektorin publik, në administratën shtetërore në veçanti, është rritur për 47 për qind. Ky 47 për qind është një shifër e madhe, por përmban edhe një aspekt të veçantë dhe të vlefshëm: raporti midis pagës më të lartë dhe asaj më të ulët ka qenë 20 me 1. Ka pasur paga 241 euro dhe mbi 4,800 euro. Hapi i radhës që duam të ndërmarrim është që të gjithë ata që punojnë 12 muaj të marrin pagën e 13-të. Paga e 13-të do të mund të merret në fillim të vitit, jo në fund”, theksoi ai.
Miratimi i pakos për përballje me inflacionin në vlerë prej 200 milion euro, sipas Kurtit, synohet të jetë vendimi i radhës në mbledhjen e parë të qeverisë, nëse do të formohet Qeveria Kurti 3.
“Me këtë mbështetje financiare, pensionistët do të kenë marrë gjashtë mbështetje të njëhershme brenda më pak se pesë vjetëve. Kjo do të thotë se, efektivisht, për më pak se pesë vite, ata kanë marrë gjashtë herë pensionin e 13-të,” theksoi ai.
Kurti: Qeveria mbikëqyr ligjshmërinë në komunat veriore
I pyetur nëse rrezikohet ligjshmëria në veri me kthimin e kryetarëve nga Lista Serbe në katër komunat veriore me shumicë serbe, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës mbikëqyr dhe vëzhgon me shumë vëmendje këto katër komuna, “që asgjë të mos devijohet nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria”.
“Njëherë provuan t’i dërgonin ftesat vetëm në cirilikë, mandej e ndryshuan. Dikush provoi ta heqë flamurin e Kosovës, por u detyruan ta rikthejnë. Besoj se do të mësohen që ata nuk mund të jenë më të privilegjuar se Kllokoti, Parteshi e Shtërpca. Problemi me Listën Serbe që kemi është se nuk janë distancuar asnjëherë nga Beogradi, që është shumë agresiv ndaj Kosovës, dhe veçanërisht ndaj nënkryetarit të tyre, i cili, sipas bindjes sime dhe bazuar në informacionet që kemi, Milan Radoiçiqi, të ishte kryetar de facto. Ai ishte nënkryetar i Listës Serbe kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Ata nuk kanë bërë asnjëherë distancimin, përkundrazi, ka indikacione dhe informacione që eksponentë të Listës Serbe shkojnë në Beograd e qytete të tjera për t’u takuar me Radoiçiqin dhe për të marrë instruksione.”
Kurti: Akuzat për pazare energjetike janë të pavërteta
Kurti tha se nuk është e vërtetë që Kosova blen energji nga kompania e Vuk Hamoviqit.
“Kjo është çështje përgjegjësisë së fjalës publike, nuk janë të vërteta këto. Janë zhvilluar hetime e hulumtime, dhe do të zhvillohen sërish; nuk janë të vërteta. Në të kaluarën ka pasur mafi energjetike dhe kompanitë nga Serbia kanë qenë përfituese në Kosovë, por tash ky nuk është rasti. Absolutisht nuk është e vërtetë, nuk ka përfitime të Hamoviqit në Kosovë. Ka pasur në të kaluarën, kur ka qenë një tjetër drejtor i KEK-ut, i cili është shkarkuar. Ata i kanë bërë ato pazare, e tash ideja është që të hedhin ca baltë mbi ne, për ndoshta të na ngelë ndonjë njollë dhe të thuhet se të gjithë janë njësoj”, deklaroi Kurti.
Kurti: Marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim korrekt me presidenten Osmani
Kurti foli edhe për raportet e tij me presidenten Vjosa Osmani. Tha se ato janë të mira, zyrtare, korrekte, se bashkëpunojnë e komunikojnë.
“Nuk pajtohemi për gjithçka, por nuk ka gjë të cilën nuk e diskutojmë e nuk përpiqemi ta sqarojmë. Nuk mendoj që nga mospajtimet tona, nga diferencat që i kemi pasur, i kemi të tilla që dëmtojnë shtetin e Kosovës apo që mund t ndërprenë dialogun dhe bashkëpunimin tonë”.
I pyetur a mund të jetë sërish në një tjetër mandat presidente ai tha se “në momentin kur të përfundojnë me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë do të duhet shumë shpejt të ulemi të dy bashkë e ta diskutojmë këtë çështje”.
“Personi i parë me të cilën duhet ta diskutoj këtë çështje është presidentja Osmani”, deklaroi Kurti.
Kurti në RTK, shpalos programin e LVV-së
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti është i ftuar sonte në Radio Televizionin e Kosovës në kuadër të intervistave me liderët e partive politike e kandidatët për kryeministër për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kreu i LVV-së në këtë intervistë në RTK pritet të shpalosë programin dhe vizionin e partisë që drejton.



