Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka vlerësuar Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025 në Kosovë, duke i cilësuar ato si një sukses të rëndësishëm të demokracisë.
Në një reagim publik, Berisha theksoi se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, të dytat brenda një periudhe dhjetëmujore, u zhvilluan në mënyrë të rregullt, me fushatë të lirë, procedurë korrekte të votimit dhe administrim të besueshëm të procesit zgjedhor. Sipas tij, këto zgjedhje përbëjnë një arritje të qytetarëve të Kosovës dhe një shembull frymëzues për shqiptarët në Shqipëri.
Ai përgëzoi qytetarët e Kosovës, institucionet shtetërore, autoritetet zgjedhore dhe forcat politike për kontributin e tyre në forcimin e rendit demokratik të vendit.
Berisha uroi gjithashtu fituesin e zgjedhjeve, kryeministrin Albin Kurti, për rezultatin e arritur, si dhe partitë e tjera politike për pjesëmarrjen dhe sjelljen dinjitoze gjatë fushatës elektorale, duke respektuar vullnetin e sovranit.
“Në emër të këtij suksesi demokratik, urime Kosovës – krenari e shqiptarëve,” përfundoi Berisha.




