Tri të mitura nga Kamenica kanë treguar shembull qytetarie duke dorëzuar në polici para të gatshme që i kishin gjetur në sheshin e qytetit.
Sipas Policisë së Kosovës, sot më 30 dhjetor 2025, rreth orës 13:30, në Stacionin Policor në Kamenicë janë dorëzuar 100 euro para të gatshme, të cilat të miturit i kishin gjetur më herët gjatë ditës.
Policia njofton se, përmes veprimeve operative, ka arritur të identifikojë personin që i kishte humbur paratë dhe, pas verifikimit sipas procedurave ligjore, shumën e gjetur ia ka kthyer pronarit.
“Duke çmuar këtë gjest human, të devotshëm dhe të ndershëm falënderojmë tre të miturit e ndërgjegjshëm, po ashtu falënderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e vazhdueshëm në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.




