Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, me propozim për gjykim në mungesë, për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Të pandehurit, pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe, akuzohen se më 15 janar 1999, gjatë një operacioni në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, vrarën 42 civilë dhe ushtruan trajtim çnjerëzor ndaj popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 1998–1999, të pandehurit morën pjesë në shkatërrim pasurie, dëbim masiv dhe spastrim etnik të civilëve në Reçak dhe fshatrat përreth, duke i detyruar banorët të largohen dhe duke ekzekutuar burrat e ndaluar. Hetimet kanë dokumentuar se civilët janë rrahur dhe maltretuar me mjete të forta, përfshirë kondakë armësh, shqelma, dru dhe zinxhirë.
Rreth 20,000 civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak u detyruan të lënë shtëpitë e tyre.
Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë në Kosovë.




