Gjatë seancës, anëtarët e Kuvendit miratuan rendin e ditës dhe një sërë propozim-vendimesh me rëndësi për funksionimin institucional dhe planifikimin e vitit të ardhshëm. Ndër vendimet e miratuara janë formimi i Komitetit për Politikë dhe Financa, Komitetit për Komunitete, si dhe Komisionit për hartimin e Planit të Punës së Kuvendit për vitin 2026.

Po ashtu, Kuvendi shqyrtoi kërkesën e DSHPE për shfuqizimin e vendimit lidhur me Planin ndërkomunal për menaxhimin e integruar të mbeturinave për rajonin e Gjilanit dhe Ferizajt, si dhe miratoi listën e veçantë të pronave komunale dhe të lokaleve që planifikohen të jepen në shfrytëzim apo me qira gjatë vitit 2026.

Një nga pikat më të rëndësishme të mbledhjes ishte miratimi unanim i propozim-vendimit të Kryetarit Sabedin Vishi për ndarjen e mjeteve financiare për lehonat në Komunën e Kaçanikut, vendim që synon mbështetjen e drejtpërdrejtë të familjeve dhe përmirësimin e mirëqenies sociale.

Mbledhja u cilësua si konstruktive dhe shënoi fillimin zyrtar të punës së Kuvendit të Komunës me përbërjen e re të legjislaturës.