Policia ka iniciuar rast penal ndaj një personi në lidhje me veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” dhe “Dëmtim apo asgjësim i pronës”.
Sipas njoftimit, më 28.12.2025, në stacionin policor në Shtime është raportuar një rast i dëmtimit të pronës, ku pala e dëmtuar ka deklaruar se dy krerë bagëti (dhi) i janë dëmtuar nga qentë e një personi tjetër. Po ashtu, është raportuar se i dyshuari posedon armë gjuetie pa leje.
Pas veprimeve hetimore, më 04.01.2026, organet e rendit kanë dalë në vëzhgim në fshatin Pjetërshticë, bazuar në informacione se i dyshuari lëvizte me një veturë tip Pickup dhe ishte parë në zonën malore të fshatit. Rreth orës 10:00, ai është hasur në fshatin Krojmir të Lipjanit.
“Pas identifikimit, i dyshuari ka pranuar veprat për të cilat dyshohet, përfshirë posedimin e një arme gjuetie pa leje. Arma është konfiskuar nga policia, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Stacioni Policor në Lipjan. Gjatë verifikimit, policia ka konstatuar se automjeti me të cilin lëvizte i dyshuari nuk ishte i regjistruar që nga viti 2021. Si rezultat, automjeti është konfiskuar dhe ndaj tij është shqiptuar gjobë për kundërvajtje”, theksohet në njoftim.
“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa nga rasti fillestar “Shënim zyrtar” është iniciuar rast penal. I dyshuari B.O., 36 vjeç, është liruar në procedurë të rregullt hetimore”.





