Dy persona janë shoqëruar në stacionin policor në Shtime, pasi dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu në fshatin Mollopolc.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 7 janar 2025, rreth orës 22:45, kur Stacioni Policor në Shtime ka pranuar informata për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.
Njësitet policore të rendit, në bashkëpunim me dy Njësi të Reagimit të Shpejtë (NJRSH), kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku dyshohet se gjatë një ahengu kishte pasur të shtëna me armë.
Pas veprimeve policore, janë identifikuar dhe shoqëruar dy persona të dyshuar, ndërsa policia ka konfiskuar dy armë zjarri – pistoleta me gaz.
Të dyshuarit janë: N.M., 31 vjeç dhe A.M., 27 vjeç.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurave penale për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” dhe “Përdorimi i armës”, si dhe vazhdimin e hetimeve.
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te qytetarët që të shmangin përdorimin e armëve të zjarrit në ahengje dhe ngjarje festive, duke theksuar se veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike.




