ATSH
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në Klos të Shqipërisë, konkretisht në fshatin Dars, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit.
Si pasojë, Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, ndërsa vijojnë kërkimet për pasagjerin, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 01:30 është marrë informacion se në vendin e quajtur “ura e fshatit Dars”, një automjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në përroin e fshatit.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, zjarrfikësit si dhe polumbarët e RENEA-s.
Nga veprimet e shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të automjetit, shtetasit A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.
Nga hetimet paraprake dyshohet se në automjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, banues po në fshatin Fullqet, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit pas aksidentit.
Shërbimet e Policisë arrestuan shtetasin A. L., pasi dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja dhe nuk ka njoftuar autoritetet, si dhe nuk i ka dhënë ndihmë pasagjerit.
Gjithashtu, ai iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet intensive në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit të zhdukur.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për veprime të mëtejshme ligjore.




