Sot i është dhënë lamtumira e fundit ish ministrit të Ekonomisë, Ali Sadriu, i cili ndërroi jetë të premten në moshën 75 vjeçare.
Në mbledhjen komemorative në nderim të figurës së ish-ministrit Sadriu, ishte i pranishëm kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se Sadriu si ministër i parë i Financave në Kosovën e pasluftës vuri themelet e ekonomike e financiare.
“Si Ministër i parë I Financave, në Kosovën e pasluftës, ai vuri themelet e ekonomike e financiare të Republikês sonë të re. Në kohë të tij, u hartua për herë të parë Buxheti i Kosovës; e u themeluan institucionet më të rëndësishme të vendit; Banka Qendrore, Administrata Tatimore e Dogana e Kosovës”.
“Ali Sadriu do të mungojë. Do të mungojë fjala e tij e qetë, prania e tij e matur, këshilla e tij e sinqertë. Por vepra e tij mbetet. Emri i tij mbetet. Kujtimi për të do të jetojë në familjen e tij, në LDK dhe në historinë e këtij vendi. Në këtë dhimbje jemi pranë familjes së tij, bashkëshortes Minire, fëmijëve Qëndresa, Fitore, Saranda, Fatbardha dhe Flamur”, ka shkruar Abdixhiku.




