Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vërshimeve që kanë përfshirë vendin, duke kërkuar veprim të menjëhershëm institucional dhe ndarjen pa vonesë të fondeve emergjente për dëmet e shkaktuara.
Sipas Haradinajt, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në mbarë Kosovën, duke prekur rëndë shtëpi, biznese dhe ekonomi familjare. Ai ka theksuar se situata është urgjente dhe nuk pret zvarritje.
“Duhet veprim i menjëhershëm. Nevojitet vlerësim urgjent i dëmeve dhe mbështetje direkte për familjet e prekura. Fondet emergjente duhet të ndahen pa vonesë,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka shtuar se edhe Buxheti i vitit 2026 duhet të përshtatet për të reflektuar qartë pasojat e kësaj fatkeqësie, duke nënvizuar se prania dhe ndihma e shtetit duhet të ndjehet menjëherë dhe përgjatë gjithë vitit 2026.
“Institucionet të rrisin gatishmërinë dhe të jenë në terren. Solidaritet dhe përgjegjësi që tani, sepse nesër është vonë”, ka shkreuar Haradinaj në Facebook.
Po ashtu, ai ka shprehur përkrahje të plotë për zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe shtabet emergjente që po qëndrojnë pranë qytetarëve.




