Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Skenderaj, nën dyshimin për organizim të lojërave të fatit të kundërligjshme.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 01:00, autoritetet kanë pranuar informacion se në një lokal në Skenderaj po zhvilloheshin lojëra fati në kundërshtim me ligjin. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe, pas identifikimit të lokalit, gjatë kontrollit kanë hasur 14 persona, të cilët dyshohet se ishin duke marrë pjesë në lojëra fati.
Gjatë veprimeve policore janë sekuestruar një tavolinë pokeri, si dhe pajisje të tjera të nevojshme për zhvillimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Si rezultat i veprimeve hetimore, pronari i lokalit është arrestuar, ndërsa personat e tjerë janë shoqëruar në stacionin policor, ku janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti penal për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa i njëjti është ndaluar në ndalim policor.




