Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është paraqitur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar lidhur me akuzat për korrupsion në rastin e njohur si “Rezervat Shtetërore”.
Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.
Të katër të pandehurit janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ku do të zhvillohet seanca përkatëse.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 11 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit për rastin e “Rezervave shtetërore”.
Sipas aktakuzës, Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale”.
Sipas Prokurorisë Speciale, buxheti i shtetit është dëmtuar për rreth 2.9 milionë euro, përmes kontratave të negociuara në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit, ku një pjesë e mallit dyshohet se nuk është pranuar asnjëherë.




