I pari i kryeqytetit, Përparim Rama ka thënë se janë dakorduar për krijimin e Shtëpisë Arbëreshe në Prishtinë, gjatë takimit me Zia Lucia, një arbëreshe e përkushtuar.
“Sot, me zemër të hapur dhe me respekt të thellë, mirëprita Zia Lucia, një figurë që sjell me vete urtësi, traditë dhe shpirt arbëresh. U dakorduam për një ëndërr të përbashkët: krijimin e Shtëpisë Arbëreshe në Prishtinë, një hapësirë ku historia nuk harrohet, por jeton. Një shtëpi ku arti, kultura, vlerat shpirtërore dhe gastronomia arbëreshe do të bashkohen”, ka shkruar ai në facebook.
Rama më tej ka thënë se arbëreshët nuk janë thjesht kujtesë e së shkuarës, por frymëzim për të ardhmen, shembull i rrallë i dashurisë për gjuhën, rrënjët dhe dinjitetin.
“Kryeqyteti e ndjen për nder dhe përgjegjësi të jetë strehë e kësaj trashëgimie fisnike…Kjo shtëpi do të jetë urë mes brezave, mes historisë dhe sotmes, mes shpirtit arbëresh dhe Prishtinës që i mirëpret me krenari”, vazhdon postimi.




