Njësiti i Hetimeve i stacionit policor në Ferizaj ka arritur të identifikojë një grup të miturish të dyshuar për një sërë vjedhjesh të kryera gjatë muajve të fundit në këtë qytet. Pas një hetimi disa mujor, policia ka zbardhur gjithsej 11 raste, ku cak ishin marketet, lokalet afariste dhe hapësirat banesore.
Një operacion i gjatë hetimor i nisur që nga gushti i vitit të kaluar është finalizuar me identifikimin e katër personave të dyshuar për disa vepra penale në qytetin e Ferizajt. Hetuesit policorë ranë në gjurmët e një grupi të miturish, të cilët në bashkëkryerje dyshohet se vodhën biçikleta, skuterë, telefona mobilë dhe para të gatshme në lokacione të ndryshme.
Gjatë punës hetimore, policia analizoi pamjet e kamerave të sigurisë, intervistoi shumë dëshmitarë nga vendet e ngjarjes dhe bashkëpunoi me njësi policore të rajoneve të tjera, duke arritur të dokumentojë 11 raste të ndodhura në disa rrugë të këtij qyteti.
“Si rezultat i hetimeve, më datë 13.01.2026, në rrugën ‘Ahmet Kaçiku’ në Ferizaj, janë ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor pesë persona të mitur të dyshuar. Gjatë procesit të analizimit dhe krahasimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, janë identifikuar katër persona të dyshuar dhe janë zbuluar gjithsej 11 raste. Të gjitha rastet janë kompletuar veç e veç dhe do të procedohen në Prokurorinë Themelore në Ferizaj. Veprimet hetimore janë zhvilluar nën autorizimin e prokurorit të shtetit nga Departamenti për të Mitur. Po ashtu, janë njoftuar dy Qendra për Punë Sociale dhe prindërit e të miturve të përfshirë, për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e policisë.





