Kosova po përballet me vështirësi në furnizimin me energji elektrike. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të ketë reduktime të rrymës në disa zona të vendit, për shkak të rrezikut për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik.
KOSTT informon se për shkak të nominimeve të pamjaftueshme të energjisë elektrike nga KESCO për mbulimin e nevojave të konsumit, Zona e Kontrollit të KOSTT-it po përballet me jo-balanca të mëdha dhe të vazhdueshme, që në disa orë tejkalojnë 200 MW.
KOSTT njofton se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse dhe organizimin e ankandeve brendaditore për balancimin e energjisë. Megjithatë, diferenca e madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real ka bërë që këto masa të mos jenë të mjaftueshme për të eliminuar jo-balancat.
Këto devijime rrisin rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, duke rrezikuar edhe Marrëveshjen e Kyçjes me ENTSO-E dhe duke sjellë mundësinë e masave ndëshkuese.
Për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik, KOSTT do të aplikojë kufizime të ngarkesës sipas nevojës, në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.
KOSTT garanton se sapo situata të përmirësohet dhe balancimi të stabilizohet, do të ndërmarrë menjëherë veprimet për rikthimin e funksionimit normal të sistemit.




