Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë e Republikës së Kosovës për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe dialog konstruktiv në Bruksel.
Një gjë të tillë Kurti e ka theksuar në takimin që sot ka pasur me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.
“Në takimin e parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kryeministri Kurti theksoi se rezultati zgjedhor ka prodhuar një legjitimitet të ri demokratik, i cili garanton parashikueshmëri politike dhe stabilitet institucional, duke forcuar më tej funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë pas këtij takimi.
Tutje theksohet se ky legjitimitet i lartë, i dalë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, siguron përfaqësim të drejtë, kredibil dhe parimor të Kosovës në dialog.
“Sa i përket palës tjetër në dialog, kryeministri vlerësoi se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për lidershipin në Serbi”, thuhet tutje në komunikatë.
Po ashtu bëhet e ditur se Kurti ka theksuar rëndësinë thelbësore të tërheqjes së letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, të deponuar në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), dorëzimin e kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit si garanci juridike dhe mirëbesim për rrugën përpara.
Sipas komunikatës, kryeministri në detyrë nënvizoi se me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit, dialogu prodhon rezultate të qëndrueshme.




