Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur edhe për procesin e zgjedhjes së presidentit/es, duke theksuar se fillimisht duhet parë se si do të zhvillohet diskutimi dhe vijimësia e hapave në konstituimin e institucioneve.
Ajo tha se konstituimi është më se i domosdoshëm, përfshirë edhe votimin e marrëveshjeve, ndërsa paralelisht do të ketë kontakte me partitë politike.
Sipas Kusari-Lilës, data për zgjedhjen e presidentit/es është e përcaktuar dhe nuk mund të lëvizet. Ajo theksoi se të gjitha përpjekjet duhet të jenë në funksion të shmangies së zgjedhjeve të reja dhe ruajtjes së stabilitetit të shtetit. “Nuk mundemi më t’ia ofrojmë vetes një proces të tillë, as ta ekspozojmë qytetarin ndaj zgjedhjeve të reja”, u shpreh ajo.
Kusari-Lila vlerësoi se procesi i zgjedhjes së presidentit/es do të kërkojë dialog, komunikim dhe në fund dakordim ndërmjet subjekteve politike. Sipas saj, këto elemente janë jetike për ta mbajtur vendin në binarë të sigurt dhe për të siguruar institucione të formuara dhe funksionale.
Kusari-Lila: Përpjekjet e opozitës penalizuan ata, jo Vetëvendosjen
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, vlerësoi konsistencën e vendimmarrjes dhe mobilizimin e elektoratit si faktorë kryesorë të rezultatit të LVV-së, duke diskutuar gjithashtu penalizimin e opozitës dhe procesin e krijimit të institucioneve.
Në emisionin “Prime” në RTK, Mimoza Kusari-Lila foli për faktorët që, sipas saj, ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve. Ajo tha se Vetëvendosje ka qenë partia e vetme që vazhdimisht ka tentuar të dalë nga situata në të cilën ndodhej, duke ofruar zgjidhje dhe propozime që nuk u pranua nga partitë e tjera.
Kusari-Lila theksoi se një rol të rëndësishëm ka pasur edhe qasja dhe konsistenca e vendimmarrjes, të cilën, sipas saj, kryeministri Kurti dhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë mbajtur vazhdimisht gjatë gjithë periudhës së fundit. Ajo shtoi se një tjetër faktor ka qenë komoditeti i partive opozitare të deritashme, të cilat supozonin se Vetëvendosja ishte në rënie dhe se kjo rënie do të vazhdonte. Sipas Kusari-Lilës, rezultati i 9 shkurtit 2025 tregoi të kundërtën, duke mobilizuar jo vetëm elektoratin e LVV-së, por edhe partnerët e saj, dhe duke tërhequr vëmendjen e subjekteve të tjera politike.
Sipas Kusari-Lilës, partitë opozitare të deritashme janë penalizuar gjithashtu për mungesën e përgjegjësisë në vendimet e tyre të mëparshme. Ajo tha se asnjëherë nuk kanë reflektuar mbi rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 dhe përkundrazi, kanë tentuar të krijojnë një narrativ të re, duke thënë se qytetarët janë mashtruar. Për këtë arsye, sipas saj, rezultati i tyre negativ është pasojë e veprimeve dhe jo e retorikës.
Kusari-Lila përfundoi duke vlerësuar se përpjekjet e opozitës gjatë katërvjeçarit të fundit kanë qenë kryesisht për të baltosur Vetëvendosjen dhe jo për të ofruar përgjegjësi dhe zgjidhje konstruktive.
Analistët: Strategjia e Kurtit fitoi zgjedhjet
Analisti politik, Dorajet Imeri, vlerëson se rezultati i fundit i zgjedhjeve nuk është për shkak të fajit të stërzgjatjes së proceseve politike dhe se sipas tij nuk është votuar për vitin që shkoi është votuar për alternativën që mos të përsëritet viti i njëjtë, por që ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, përfshirë qasjen gjatë fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, roli i kryeministrit Kurti ka qenë vendimtar, ndërsa partitë opozitare kanë humbur ndikim, dhe gjuha e Kurtit u zbut gjatë procesit.
“Qeveria u zbut, zbutet edhe opozita, dhe kjo nuk duhej të ndodhte. Kurti kishte qartësi politike dhe dinte çfarë donte. LDK-ja, nga ana tjetër, nuk kishte një strategji të qartë, ndërsa PDK-ja në një situatë të ngutshme zgjodhi kryetarin pa alternativë reale.” tha Imeri.
Fushata e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas tij, përfshiu në ndihma, studentë, nxënës dhe punëtorë të sektorit publik e tjerë.
Ai shtoi se procesi i rinumërimit, sipas kësaj tempoje, do të vazhdojë edhe për rreth 14 ditë në vendvotimet e përfshira.
Ndërsa, analisti Sadik Zeqiri tha se në disa rrethana dhe në disa kohë sanksionet e Bashkimit Evropian dhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bë që numri i votuesve dhe mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje të bije nga 50 përqindëshi i 2021-ës në 42 përqind në shkurt të vitit 2025. Me bllokadën e krijuar LVV si fitues të zgjedhjeve që nuk kanë ofruar alternativë bashkëqeverisëse me subjektet tjera politike ka bërë që vendi të kaloj nëpër një ngërç politik 10 muajsh dhe se sot jemi aty ku jemi.




